Hoti për Kurtin: Në vend që t’i ndihmojë njerëzit nga vërshimet, kërcënon me prokurorë

Hoti për Kurtin: Në vend që t’i ndihmojë njerëzit nga vërshimet, kërcënon me prokurorë

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, i ka reaguar liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili paralajmëroi se do të insistojë që nisin hetimet ndaj atyre të cilët janë fajtorë për gjendjen me vershimet në Kosovë, njofton Insajderi.

Sipas tij, Kurti në vend që të kërkojë angazhim nga qeveria për t’i ndihmuar komunat që ndodhen në gjendje më të rëndë, ai po kërcënon se do të angazhohet në nisen e hetimeve.

Madje, Hoti kërcënoi se në fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit nuk do të kursej askënd.

“Ne nuk do ta kursejmë askënd në këtë fushatë. Nuk do të lejomë që njerëzve t’u shpërlahet truri. Kosova që tre ditë përballet me vërshime, Kurti në vend se të kërkojë angazhim nga qeveria, ai del dhe kërcënon se me prokurorë do të angazhohet se diku një rrugë apo një gardh nuk është ndërtuar mirë.

Ai flet për këto gjëra në kohën kur njerëzit janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Ne duhet të bëjmë çdo që që të pamundësojmë këtë model të qeverisjes”, tha Hoti gjatë takimit me strukturat e LDK-së në Drenas.

Tutje, ai shtoi se falë qeverisjes së LDK-së në muajt e fundit është rikthyer partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare.

“E kemi marrë qeverisjen kur Kosova ishte e izoluar dhe me sanksione. Por pas disa javësh kemi kthyer relacionet me bashkësinë ndërkombëtare, kishim disa vizita në Bruksel e në vendet tjera evropiane. Pastaj erdhi marrëveshja e Uashingtonit që është e mirë për Kosovën.

Ne e morëm qeverinë në kohën kur kishte kërcënime serioze për tërheqje të trupave amerikane ndërsa arritëm si qeveri që ushtrinë e Kosovës ta dërgojmë në misione bashkë me ushtrinë amerikane. Ky është ndryshim komplet i kursit, si dita me natë, me ata që ishin para nesh në qeverisje”, tha Hoti, ndërsa shtoi se falë qeverisjes së mirë, është menaxhuar me sukses edhe situata me pandeminë dhe pasojat që ka sjell në ekonomi./Insajderi.com