Hoti për operacionin policor në Karaçevë: Ky është vetëm fillimi i kthimit në normalitet

Hoti për operacionin policor në Karaçevë: Ky është vetëm fillimi i kthimit në normalitet

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se operacioni i mbrëmshëm i policisë në Karaçevë, është dëshmi se institucionet e sigurisë janë plotësisht të afta për të garantuar rend dhe ligj për qytetarët e Republikës së Kosovës, njofton Insajderi.

Me anë të një shkrimi në rrjetet sociale, Hoti tha se ky është vetëm fillimi i kthimit të normalitetit.

“U jam mirënjohës të gjithë atyre që me përkushtim e profesionalizëm planifikuan dhe zbatuan një operacion kompleks e delikat. Ky është vetëm fillimi i kthimit të NORMALITETIT në çdo fushë”, ka shkruar ai.

33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë janë arrestuar mbrëmë pas një aksioni në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës, në rajonin e Prishtinës, si dhe lokacione të tjera të vendit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor dhe Policia e Kosovës, nëpërmejt një komunikate për media, ka sqaruar se operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale. /Insajderi.com