Hoti: Për politikën e jashtme, Kosova duhet të koordinohet me administratën amerikane siç bëri Rugova

Hoti: Për politikën e jashtme, Kosova duhet të koordinohet me administratën amerikane siç bëri Rugova

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është shprehur se Kosova duhet të koordinohet me administratën amerikane lidhur me politikën e jashtme në përgjithësi, ashtu siç kishte bërë ish-presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, përcjell Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se i dërguari i Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka bërë të qartë politikën e Administratës Biden për Ballkanin Perëndimor.

“Gabriel Escobar, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, e bëri të qartë (edhe një herë) politikën e Administratës Biden për Ballkanin Perëndimor: – Integrim në BE brenda një kohe të parashikueshme për të gjitha shtetet, – Ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve, – Ndalimi i ndërhyrjes së Rusisë dhe Kinës në këtë regjion.

Lidhur me politikën karshi regjionit dhe politikën e jashtme në përgjithësi, Kosova duhet të koordinohet plotësisht me administratën amerikane, siç ka bërë në vitet e para të vendosjes së themeleve të shtetit të Kosovës nga Presidenti Rugova dhe bashkëveprimtarët e tij, e deri tek qeveria e fundit kur u nënshkruar Marrëveshja e Ëashingtonit në Shtëpinë e Bardhë”, shkroi ndër tjerash ai.

Tutje, sipas Hotit, me politikën e Administratës Biden, Escobar po kërkon vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke.

“Në mënyrë specifike, ai kërkon: – vazhdimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke, – fillimin e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, – Ruajtjen e sovranitetit dhe demokracisë në Mal të Zi, – Reforma ligjore dhe ekonomike në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke i kundërshtuar dhe kritikuar ashpër ata që e nxisin dhe mbështesin ndarjen e këtij shteti”, ka përfunduar Hoti./Insajderi.com