Hoti për reciprocitetin e targave: Kurti nuk u koordinua me partnerët ndërkombëtarë

Hoti për reciprocitetin e targave: Kurti nuk u koordinua me partnerët ndërkombëtarë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e mbështetë vendimin e Qeverisë Kurti për vendosjen e masës së reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia.

Sipas tij, aplikimi i kësaj mase është në të drejtën e Kosovës, ndërsa shprehet kritik për qeverinë duke thënë se “ka ndërmarrë veprime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë”.

“Nuk është koordinuar ky veprim me partnerët ndërkombëtarë, për t’ua bërë të ditur se Kosova është duke respektuar marrëveshjen se po hyjmë në fund të marrëveshjes dhe Kosova është e detyruar që të veprojë në përputhje me ligjin dhe në respektim të marrëveshjes”.

“U krijua një situatë, që u duk sikur i surprizuan partnerët tanë, gjë e cila nuk duhet të ndodhte, sepse çdo veprim ka qenë i koordinuar plotësisht me partnerët ndërkombëtarë”, ka deklaruar Hoti.

Ka theksuar se çështja e reciprocitetit mund të ndikojë, që në procesin e dialogut në Bruksel të mos diskutohet për marrëveshje përfundimtare, e cila nënkupton njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve, por se e gjitha kjo qasje ka shtuar Hoti “mund të kanalizohet në disktutime për marrëveshje teknike”.

“Kam frikë se nuk do diskutohet për marrëveshje përfundimtare, por do të bisedohet për marrëveshje teknike, parciale, për një problem që është krijuar në atë pjesë të vendit dhe Kosova e them prapë është plotësisht në të drejtën e saj, është Serbia ajo që nuk e ka respektuar këtë marrëveshje”, është shprehur ai./Insajderi.com