Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka premtuar se në ditët në vijim do të bëhet zgjidhja për rrugën Deçan-Plavë, përkatësisht te Manastiri i Deçanit, projekt ky që është pezulluar ditë më pare, njofton Insajderi.
Kreu i Qeverisë pas një takimi që pati në Deçan me komandantin e KFOR-it, Michele Risi dhe kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka shprehur se janë diskutuar disa çështje me rëndësi, derisa shtoi se për ndërtimin e kësaj rruge do të tregojnë kulturë institucionale, duke respektuar ligjet në fuqi që kanë buruar nga institucionet vendore.
Megjithatë ai nuk iu përgjigj gazetarëve se kur do të lejohet rifillimi i punimeve.
“Diskutuam për çështje të rëndësishme, për zhvillimin ekonomik lokal të Deçanit, dhe në veçanti për çështjen e rrugës tek manastiri. Ne kemi kulturë institucionale edhe si Komunë edhe si Qeveri për të respektuar ligjet që janë nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës. Për të respektuar vendimet që i nxjerrin institucionet tona vendore, por ne gjithashtu jemi këtu për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të mbrojtur dhe promovuar interesat e qytetarëve të Deçanit. Po ashtu për të avancuar standardin e jetës së qytetarëve të Deçanit, në të njëjtën kohë për të treguar kujdesin e nevojshëm ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Në ditët dhe javët e ardhshme do të gjejmë zgjidhje më të mirë të dakorduar nga të gjithë”, tha Hoti.
Pas kësaj vizite në këtë komunë, kryeministri Hoti po qëndron në ambientet Manastirit të Deçanit. /Insajderi.com