Hoti për vizitën e Kurtit dhe Osmanit në Veri: Disa kauza t’i lëmë jashtë fushatës zgjedhore

Hoti për vizitën e Kurtit dhe Osmanit në Veri: Disa kauza t’i lëmë jashtë fushatës zgjedhore

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, thotë se kauzat duhet të lihen jashtë fushatës zgjedhore, njofton Insajderi.

Kështu deklaroi ai derisa bëri homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit në Prishtinë, së bashku me stafin e tij.

Kjo deklaratë e tij vjen pas vizitës së djeshme në Mitrovicën e Veriut të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe presidentes në detyrë, Vjosa Osmanit.

“Unë besoj që disa kauza duhet t’i lëmë jashtë fushatës zgjedhore. Ajo pjesë është një territor i Kosovës pa asnjë dyshim, kjo nuk kontestohet në asnjë formë, secili ka të drejtë të lëvizë. Por nuk duhet të përdoren për fushata për të treguar diçka që nuk është”, ka thënë Hoti.

Ai tha se me nderimet që bëjnë për Pajazitin nderojnë të gjithë luftëtarët që falë tyre gëzojmë lirinë sot.

“Sot bashkë me anëtarët e kabinetit bëmë nderime tek shtatorja e Zahir Pajazitit dhe bashkëluftëtarëve të tij prej këtu do të vazhdojmë edhe për në Orllat në Podujevë”.

“Ne sot nderojmë kontributin e tij dhe bashkëluftëtarëve të tij dhe gjithë atyre që kanë rënë për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë. Është bërë e zakonshme që ne çdo vit të bëjmë nderimet ndaj tyre dhe përmes tyre edhe të të gjithë luftëtarëve në gjithë Kosovën”, tha Hoti. /Insajderi.com