Hoti premton ndihmë për sektorin privat nga Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike

Hoti premton ndihmë për sektorin privat nga Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar rreth ndihmës për sektorin privat nga Pakoja e rimëkëmbjes, duke treguar kështu për mbështetjen e qeverisë që do t’i jepet bizneseve private përmes politikave qeveritare.

Derisa vizitoi kompaninë “Eurometal” në Ferizaj, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, Hoti tha se pritet që shpejt të fillojë të zbatohet në praktikë ndihma emergjente për bizneset, me disa instrumente që janë pjesë e programit qeverisës.

“Ministrat veç e veç nëpër sektorë të vet janë duke i zhvilluar tanimë ato instrumente dhe po presim që shumë shpejt, sapo të miratohet buxheti, ne të fillojmë në mënyrë sa më intensive të mbështesim sektorin privat edhe përmes resurseve tona si qeveri, por edhe përmes granteve, donacioneve dhe kredive ndërkombëtare, një pjesë e të cilave u miratuan para dy ditësh në Kuvendin e Kosovës”, tha kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, potencoi se janë këto tri instrumente që e bëjnë të mundur zbatimin e plotë të Pakos për rimëkëmbje ekonomike, pra Marrëveshjet ndërkombëtare, rishikimi i buxhetit dhe Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike. /Insajderi.com/