Hoti: Qeveria mund të rrëzohet por nuk shantazhohet nga askush

Hoti: Qeveria mund të rrëzohet por nuk shantazhohet nga askush

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se qeveria mund të rrëzohet, por nuk mund të shantazhohet, shkruan Insajderi.

Këtë deklaratë Hoti e bëri gjatë një konference për media, ku u pyet nëse Qeveria e Kosovës po shantazhohet nga Lista Serbe dhe nëse do ta shqyrtojnë pozitën e kësaj partie në koalicionin qeverisës.

Tutje, kryeministri ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim do të adresojë disa çështje sa i përket Listës Serbe.

“Kemi disa çështje që besoj se në ditët e ardhshme duhet t’i adresojmë me Listën Serbe. Fakti që jemi në këtë pikë, do të thotë që Qeveria mund të bie, por nuk mund të shantazhohet. Më vjen mirë që një pjesë e opozitës kanë marrë parasysh kërkesat tona të vazhdueshme”.

“Qysh në muajt e verës kur ka shkuar në lexim të parë në Kuvend, kam kërkuar nga deputetët t’i japin mendimet e tyre, si nga opozita si nga pozita t’i japin mendimin në mënyrë që ato t’i akomodojmë në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, u shpreh ndër të tjera i pari ekzekutivit./Insajderi.com