Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të raportojë para deputetëve rreth dialogut Kosovë-Serbi.
Kosova ka arritur një marrëveshje ekonomike me Serbinë në Uashington, e cila në shumë aspekte është kritikuar nga dy partitë opozitare; Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Hoti do të raportojë në tërësi për dialogun, pasi Kosova dhe Serbia përpos marrëveshjes në Uashington, janë të përfshirë edhe në dialogun e Brukselit.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ekziston ndonjë divergjencë në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian rreth parimeve të dialogut.
Por, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, në një debat televiziv të mërkurën, ka thënë se koordinimi i SHBA-së dhe BE-së nuk po vërehet siç po deklaron kryeministri Hoti.
“Nuk po vërehet ky koordinim, nëse kemi dy drejtime të kundërta në të dyat do të jemi humbëse”, ka thënë Krasniqi.
Ai po ashtu tha se do të tentojnë që “të nxjerrin ndonjë detaj tjetër rreth dialogut nga kryeministri”. /Insajderi.com