Hoti: Sjelljet në kuvend ta papranueshme

Hoti: Sjelljet në kuvend ta papranueshme

Përmes një reagimi për media, kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se i vlerëson të papranueshme sjelljet dhe gjuhën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjatë interpelancës lidhur me çështjen e të pagjeturve, njofton Insajderi.

Në mes të debatit për çështjen e të pagjeturve, pati përplasje të ashpër mes deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet që “kryeministrit Hoti thekson se sjelljet e tilla janë jashtë çdo standardi të komunikimit politik, e sidomos sot kur temë e debatit ishte fati i të pagjeturve, çështje kjo shumë e ndjeshme për shoqërinë tonë, e cila po trajtohet me shumë përkushtim nga Institucionet e Kosovës”.

Hoti më tej ka thënë se pos interpelancës për këtë çështje ka pasur para disa ditësh takim me deputetë të të gjitha partive, anëtarë të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, “ku i ka njoftuar në hollësi për angazhimet e të gjitha institucioneve relevante që trajtojnë fatin e të pagjeturve”.

“Kryeministri Hoti rithekson se, angazhimi për ndriçimin e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në vendin tonë, nuk ka munguar nga asnjëra Qeveri deri më sot, e sidomos tani kur është shtuar mbështetja dhe trysnia nga bashkësia ndërkombëtare që kjo çështje të përmbyllet sa më parë”, thuhet në fund të komunikatës./Insajderi.com