Hoti: S’ka bisedime për asociacionin, dialogu do të çojë drejt njohjes reciproke

Hoti: S’ka bisedime për asociacionin, dialogu do të çojë drejt njohjes reciproke

Kryeministri Avdullah Hoti ka përsëritur sot se procesi i dialogut do të çojë drejt marrëveshjes finale e cila do të rezultojë me njohjen reciproke, ndërkohë që asociacioni asnjëherë nuk do të jetë temë diskutimesh në Bruksel, pasi kjo çështje tashmë është e mbyllur për Kosovën, njofton Insajderi.

Ai këto komente i bëri në një konferencë për media me ambasadorin e BE-së Tomash Szunyog, pas pranimit të raportit vjetor të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Duke folur për raportin e BE-së për Kosovën, kryeministri Hoti tha se dokumenti nxjerr në pak se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e vizave.

“Pavarësisht ndryshimeve që kemi kaluar, ndërrimit të qeverive është bërë progres. Arritja më e madhe e Kosovës në këtë proces është marrëveshja e stabilizim-asociimit e prillit 2016. Raporti me të drejtë nxjerr në pah që Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizmin e vizave qysh nga korriku”, është shprehur Hoti.

Ai ka komentuar edhe për veprimet që institucionet e Kosovës po ndërmarrin kundër krimit dhe korrupsionit.

“Krimi dhe korrupsioni mbetet problem në vete. Por, e keni parë se brenda vetëm katër muajve qeverisje është larguar nga qeverisja, duke treguar me veprime në çdo nivel kundër krimit dhe korrupsionit. Në javët e fundit, keni pa veprime të fuqishme të policisë që s’i kemi parë në dhjetë vitet e fundit në fushën e luftimit të krimit që kanë prodhuar rezultate tilla që nuk kemi parë që disa qeveri me radhë dhe do të vazhdojmë kështu deri në fund”, ka thënë Hoti.

Hoti ka theksuar se qeveria që ai drejton do të vazhdojë bisedimet me palën serbe derisa të arrihet njohja ndërmjet dy shteteve brenda kufijve ekzistues.

“Kjo qeveri nuk ka frikë që t’i qaset dialogut si të tjerët. Ne do të ulemi në tavolinë sepse parimet janë të qarta dhe të dakorduara brenda vendit, por edhe jemi dakorduar me miqtë tanë ndërkombëtarë. Nisim prej faktit se nuk ka rrugë tjetër për t’i zgjidhur çështjet mes Kosovës dhe Serbisë përveç dialogut. Edhe nëse duhet një, dy apo edhe pesë vjet, ne do të dialogojmë derisa të mbërrijmë në finale për njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Zgjidhje tjetër nuk ka”, tha ai.

Sa i përket asociacionit serb, kryeministri Hoti është shprehur qartazi se nuk do të ketë diskutime në Bruksel, pasi kjo temë është përmbyllur në vitin 2013, kur Gjykata Kushtetuese e vlerësoi se është në 23 nene në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të Kosovës.

“Ne jemi duke dialoguar mbi baza të barabarta si dy shtete fqinje që nuk e njohin njëra-tjetrën. Dhe mbi këtë bazë mendoj se të gjithë duhet t’i japim mbështetjen këtij procesi të rëndësishëm. Kur them se tema e asociacionit është e mbyllur e them në kuptimin që është marrëveshje e vitit 2013 e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe është një marrëveshje tjetër e parimeve e vitit 2015 dhe është një opinion i Gjykatës Kushtetuese. Nga ky këndvështrim kjo temë është e mbyllur por është një obligim i shtetit të Kosovës dhe ne do ta respektojmë atë”, është shprehur Hoti.

Ai është shprehur edhe njëherë se procesi i dialogut do të çojë drejt një marrëveshjeje finale me njohje reciproke, duke mbyllur kështu njëherë e përgjithmonë problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Insajderi.com