Hoti takohet me Varhelyin, bisedojnë për zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi

Hoti takohet me Varhelyin, bisedojnë për zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është pritur në takim nga Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, me të cilin është biseduar për zhvillimet e fundit politike, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur përmes një njoftimi për media, Hoti e ka njoftuar komisionerin Varhelyi për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

Në këtë takim, Hoti ka folur edhe për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në veçanti në menaxhimin e situatës së krijuar me COVID 19, për masat që janë ndërmarrë dhe për Pakon e rimëkëmbjes ekonomike.

“Hoti ka folur edhe për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të nënshkruar në Uashington më 4 shtator, e cila paraqet një akt të vullnetit të mirë për të ecur më tej drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes të dy vendeve, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke”, thuhet në njoftim.

Në emër të qeverisë, kryeministri Hoti thuhet se i ka falënderuar institucionet e BE-së për mbështetjen financiare dhe teknike që i kanë dhënë Kosovës në luftimin e pandemisë.

Ai, po ashtu, ka shtruar nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave, duke theksuar se qytetarët e Kosovës meritojnë të lëvizin lirshëm sikurse popujt e tjerë, pasi që janë përmbushur të gjitha kushtet e parapara. /Insajderi.com