
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se është takuar sot me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharin, me të cilin ka rënë dakord për komunikim të vazhdueshëm lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Me anë të një postimi në Facebook, Hoti ka bërë të ditur se nga ana e Ministrisë së Arsimit janë duke u bërë përgatitjet e nevojshme pas konsultimit të gjerë që kishin edhe me kryetarët e komunave ditë më parë.
“Sot, me Kryetarin e SBASHK-ut, z.Rrahman Jashari, u dakorduam për komunikim të vazhdueshem lidhur me përgatitjet që po bëjmë për fillimin e vitit të ri shkollor. Ministri Likaj dhe ekipi i tij janë duke i bërë përgatitjet e nevojshme pas konsultimit të gjerë që kishim me kryetarët e komumave”, ka njoftuar Hoti.
Kreu i Qeverisë së Kosovës tutje shtoi se vendimi final për mënyrën e organizimit të mësimit do të merret duke pasur parasysh konsideratat për sigurim të cilësisë në mësim, por mbi të gjitha shëndetin e nxënësve, stafit mësimdhënës dhe stafit tjetër mbështetës. /Insajderi.com