Hoti thirrje Qeverisë: Projektet që burojnë nga Marrëveshja e Washingtonit duhet të realizohen

Hoti thirrje Qeverisë: Projektet që burojnë nga Marrëveshja e Washingtonit duhet të realizohen

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka bërë thirrje Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti që të kujdeset për realizimin e projekteve që burojnë nga Marrëveshja e nënshkruar në Washington, njofton Insajderi.

Hoti pas publikimit të raportit të fizibilitetit për Ujmanin, ka thënë se koha po e nxjerrë të vërtetën dhe po ashtu “të gjitha mashtrimet elektorale e politike”.

Sipas tij, ata që e kanë kritikuar këtë marrëveshje duhet së paku të kërkojnë falje.

“Iu pata thënë të mos nguten. Koha po nxjerrë në dritë të gjitha të vërtetat, si dhe të gjitha mashtrimet elektorale e politike. Ata që tani janë në Qeveri duhet të kujdesen për realizimin e projekteve që burojnë nga Marrëveshja e Washingtonit: projektet e hekurudhave dhe autostradave, energjisë së ripërtërishme, furnizimit me gaz, si dhe krijimin e mundësive për financim për bizneset private të Kosovës në tregje financiare të SHBA-së. Ndryshe nuk do ta kenë të gjatë, siç nuk e patën të gjatë as vitin e kaluar.

Administrata e Presidentit Biden e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje, sepse është në përputhje me interesat e përbashkëta të SHBA-së dhe Kosovës. Por, Kosova nuk po ndërmerr asnjë veprim konkret. Asgjë nuk është bërë që nga përmbyllja formale e njohjes nga Izraeli në fillim të shkurtit, të cilën njohje gjithashtu e kritikonin dhe nuk e besonin se do të formalizohet me vendosje të marrëdhënieve diplomatike”, ka shkruar Hoti në Facebook./Insajderi.com