Hoti thotë se Franca dhe Holanda po e pengojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

Hoti thotë se Franca dhe Holanda po e pengojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar rreth takimeve të tij në Parlamentin Evropian, si dhe për marrëveshjen e Uashingtonit e investimet amerikane në Kosovë, njofton Insajderi.

Derisa është intervistuar nga Euroneës Albania, Hoti tha se pavarësisht se Komisioni Europian ka vite që e mbështet liberalizimin e vizave dhe se janë vetëm vende si Franca apo Holanda që po pengojnë këtë proces.

Kreu i Qeverisë së Kosovës u shpreh se po punohet me dy vendet në nivel ministror që të binden se kushtet e imigrimit të paligjshëm dhe krimit të organizuar janë përmbushur dhe po mbeten të tilla.

Pyetur rreth qëndrimit që do të mbajë kryeministri nëse LDK dhe AAK nuk qëndrojnë bashkë në qeveri, ai i është referuar kësaj si një situatë hipotetike për të cilën nuk mund të japë një përgjigje.

“Unë po zbatoj të gjitha pikat e marrëveshjes dhe nuk ka asnjë arsye që ndonjëra prej partive të dalë nga koalicioni,”- tha ai.

Hoti u pyet edhe për shifra konkrete të investimeve amerikane në Kosovë, ku ai përmendi projektin e autostradës dhe hekurudhës Prishtinë-Merdar, projektin e gaz përçuesit që vjen nga Shkupi dhe nga veriu i Republikës së Maqedonisë Veriore dhe ndihmën për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për të cilat do të shpenzohen rreth një miliard dollarë.

Ai nuk ka folur konkretisht se pse u tërhoq nga pikat të cilat ishin në të mirë të Kosovës duke u shprehur me siguri që kjo marrëveshje do të sjellë vetëm të mira e një pjesë e tyre janë bërë të dukshme. /Insajderi.com