Hoti thotë se për 15% ka rënë numri i rasteve me COVID-19: Situata mbetet e rëndë

Hoti thotë se për 15% ka rënë numri i rasteve me COVID-19: Situata mbetet e rëndë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se është ulur për 15 përqind numri i rasteve të reja pozitive me COVID-19 brenda ditës, njofton Insajderi.

Hoti me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, tha se kjo është arritur pas masave të kufizimit të lëvizjes që është marrë në katër javët e fundit, por që sipas tij, situata mbetet e rënduar.

“Në dy javët e fundit, si rezultat i masave të vendosura nga Qeveria në konsultim me profesionistët shëndetësorë, është arritur të ulen rastet aktive për rreth 15%. Numri i të infektuarve për 100,000 banorë ka rënë nga 257 në 100 raste. Por, situata mbetet e rëndë dhe jemi të detyruar të mbajmë masat pasi burimet e infeksionit janë kudo, në veçanti në ambientet ku ka grumbullim të qytetarëve”, ka shkruar Hoti.

Ai më tej ka deklaruar se shkollat do të hapen më 18 janar të vitit 2021 dhe se gjatë kësaj periudhe do të ketë më pak të prekur pasi nuk do të ketë qarkullim të shtuar të njerëzve.

“Deri më 18 janar 2021, kur shkollat hapen prapë, spitalet tona do të jenë më pak të ngarkuar për të përballuar fluksin e pacientëve që kërkojnë shërbime spitalore”.

“Ne duhet të ruajmë sistemin tonë shëndetësorë. Po bëjmë përpjekje maksimale të përballojmë fluksin e pacientëve të prekur nga COVID. Prandaj, me rekomandim të IKSHP-së dhe organizatave relevante ndërkombëtare, duhet të mbajmë masat dhe të forcojmë mbikëqyrjen e zbatimit të tyre. Duhet të evitojmë takimet shpërndarëse të virusit, siç janë tubimet publike, ceremonitë e ndryshme etj. Në veçanti duhet respektuar masat elementare: distanca fizike, maska dhe pastërtia e duarve dhe mos përshëndetja me duar”, shton tutje Hoti. /Insajderi.com