Hoti thotë se veprimet e Speciales janë në të drejtën e saj

Avdullah Hoti: "Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të pa tjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri".

Hoti thotë se veprimet e Speciales janë në të drejtën e saj

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pa përmendur ekzaktësisht ndodhinë e djeshme të bastisjes së zyrave të Organizatës së Veteranëve të Luftës dhe arrestimet e kryetarit të saj, Hysni Gucati e nënkryetarit, Nasim Haradinaj, ka thënë se veprimet e Dhomave të Specializuara burojnë nga përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese që ajo ka, njofton Insajderi.

Me një status në Facebook, një ditë pas ngjarjeve të së premtes, Hoti pohon se veprimet e Speciales duhet të shihen dhe kuptohen si “veprime të pavarura të drejtësisë”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se veprimet e Dhomave të Specializuara burojnë nga detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre ligjore dhe kushtetuese, dhe duhet konsideruar si veprime të pavarura të drejtësisë”, shkruan Hoti.

Kryeministri shton se “Qeveria e Republikës së Kosovës beson se drejtësia është mbi të gjitha, dhe se duhet respektuar plotësisht”.

Derisa statusi i Hotit përfundon duke ripërsëritur se “Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të pa tjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri”./Insajderi.com