Hoti tregon tri parimet e dialogut me Serbinë para deputetëve

Hoti tregon tri parimet e dialogut me Serbinë para deputetëve

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po raporton në Kuvend rreth rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi.

Në seancën plenare që po mbahet sot, Hoti iu është drejtuar deputetëve duke përmendur parimet e tij në dialog, ndërsa ka premtuar se do t’i informojë dhe do t’u japë llogari të gjithëve.

““Detyrimi për përfaqësimin tim në dialog buron nga kushtetuta. E para integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm, Tërësia e territorit të Kosovës është premisa thelbësore e Republikës së Kosovës, Organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket sepse si i tillë garanton organizimin e pushteteve Marrëveshja me Serbinë do të jetë në përputhje me Kushtetutën. Në Samit dhe në videokonferencë unë kam prezantuar parimet që i përmenda”, tha Hoti.

Madje ai tutje është shprehur edhe në lidhje me deklaratat e ish-kryeministrit, Albin Kurti, i cili kishte përmendur “thikat mbi hartën e Kosovës”.

Hoti tha se nuk do të rri duarkryq dhe se nuk do të qahet dhe ankohet për teori konspirative me harta e thika e as për ndarje territoriale, njofton Insajderi.

“Unë do ju mbaj të informuar dhe do jem llogaridhënës”, tha Hoti.

“Unë nuk do të rri duarkryq dhe as nuk do të qahem para jush duke u ankuar për teori konspirative me harta e thika, apo me komplote për ndarje territoriale”, u shpreh kryeministri. /Insajderi.com/