Hoti bisedoi në telefon me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell dhe me komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pati sot dy telefonata të rëndësishme.
Ai bisedoi me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell dhe me komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi.
Në këto biseda, kryeministri Hoti i njoftoi diplomatët e lartë evropianë për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, veçmas për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit si pasojë e kësaj pandemie.
Sipas komunikatës së Qeverisë, kryeministri Hoti foli edhe për përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për ta përmbyllur me sukses perspektivën integruese evropiane të Kosovës.
Po ashtu, kryeministri Hoti i falënderoi ata për përkrahjen që institucionet e Bashkimit Evropian i kanë dhënë Kosovës për menaxhimin e pandemisë COVID-19./Insajderi.com