Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, u ka uruar festën e 7 Marsit të gjithë mësuesve, njofton Insajderi.
Hoti me anë të një postimi në Facebook ka shkruar se Qeveria në detyrë do të angazhohet dhe të vazhdojë përkrahjen për ngritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit.
“Mirënjohje dhe falënderim për gjithë kontributin tuaj ndër vite, në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të tëra, në kohë dhe rrethana jo gjithnjë te favorshme gjatë historisë tonë. Respekt i veçantë për mësimdhënësit që mbajtën gjallë entuziazmin dhe idealin për liri e pavarësi gjatë viteve të 90-ta”, ka shkruar ai.
“Mirënjohje për mësimdhënësit në gjithë Kosovën për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë këtij viti sfidues, kur vendi ynë sikurse e gjithë bota po vazhdon të përballet me pandeminë COVID-19”.
“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës do të angazhohet dhe të vazhdojë përkrahjen për ngritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit. Të gjithë mësimdhënësve ju përcjelli urimet më të përzemërta dhe konsideratën time më të lartë për punën dhe kontributin tuaj të çmuar!”, përfundon Hoti. /Insajderi.com