Hoti uron Zaevin për qeverinë e re

Hoti uron Zaevin për qeverinë e re

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka uruar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për formimin e qeverisë së re, njofton Insajderi.

“Me rastin e zgjedhjes së Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, kam kënaqësinë t’i shpreh urimet e mia më të sinqerta kryeministrit Zoran Zaev, kabinetit të tij qeveritar dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, shkruan Hoti në urimin e tij në Facebook.

“Jam i bindur se marrëdhëniet tona bilaterale do të vazhdojnë të forcohen, në bazë të marrëdhënieve historikisht të afërta dhe miqësore ndërmjet dy vendeve tona dhe dy popujve tanë”.

“Qeveria e Kosovës, dhe unë personalisht, mezi presim që të punojmë me Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat. Ne jemi të vendosur të përqendrohemi sidomos në rritjen e bashkëpunimit tonë bilateral ekonomik që duhet të përputhet me marrëdhëniet e shkëlqyeshme politike ndërmjet të dy vendeve tona”.

Qeveria e re e Maqedonisë u votua me 62 vota pro dhe 51 vota kundër.

Kjo Qeveri përbëhet nga LSDM, BDI, Besa, PDSH dhe disa parti të vogla nga koalicioni i bllokut maqedonas, njofton Insajderi.

“Kjo Qeveri do të jetë për dy gjëra. Për ekonomi dhe drejtësi. Duke mos harruar tjerat si shëndetësi dhe arsim. Prioritetet janë të orientuara kah BE dhe NATO. Kërkoj mbështetjen tuaj që të çojmë vendin përpara” tha Zaev para se të votohej kabineti qeveritar.

Sipas marrëveshjet, Bashkimi Demokratik për Integrim do ta ketë kryeministrin në 100 ditët e fundit të mandatit.

Qeveria do të ketë 19 ministra dhe katër zëvendëskryeministra./Insajderi.com