Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, për gjendjen e krijuar në disa komuna të Kosovës si pasojë e reshjeve të shumta të shiut, ka thënë se mund të kërkohet edhe angazhimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, njofotn Insajderi
Ai në profilin e tij në Facebook ka treguar disa të dhëna nga Qendrat Operative për gjendjen, ndërsa ka thënë se ekipet po intervenojnë sipas nevojave dhe mundësive.
Sipas të dhënave nga Qendrat Operative:
- Në Komunën e Drenasit – uji ka depërtuar nëpër oborre të shtëpive në Poklek, Krajkovë, Tërstenik, Shtrumbullovë, Komoran dhe në qendrën e qytetit.
- Në Komunën e Prizrenit – ka pasur përmbytje të disa bodrume të shtëpive në lagjen Arbana.
- Në Komunën e Malishevës – janë bllokuar disa rrugë afër QMF-së, është rritur niveli i lumit Mirushai dhe janë vërshuar rrugët që qojnë në fshatrat Bajë, Marali dhe Maxharrë. Ekipet reaguese janë në vend ngjarje.
- Në Komunën e Rahovecit – janë vërshuar disa rrugë poshtë qytetit dhe në fshatrat Gexhe dhe Kramovik.
- Në Komunën e Pejës – ka vështirësi në pikë kalimin kufitar “Kullë” dhe në aksin rrugor Pejë–Rugovë, ndërkaq rruga për në fshatin Kuqishtë ka vështirësi të mëdha kalimi.
- Në Komunën e Klinës – nga të reshurat e shiut ka filluar me shpejtësi rritja e nivelit të lumenjve, në disa fshatra kanë filluar të vërshohen tokat bujqësore, në fshatin Ozdrim janë rrezikuar dy familje nga depërtimi i ujit në shtëpi.
- Në Komunën e Gjakovës – ka pasur disa pengesa në rrugët e qytetit nga vërshimet.
- Në Komunën e Junikut – ka pasur bllokim rruge në tri lokacione në fshatin Gjocaj si pasojë e rrëshqitjes së dheut.
- Në regjionin e Pejës – janë raportuar një numër i madh i defekteve në rrjetin e energjisë elektrike.
Në fund Hoti ka bërë thirrje për qytetarët që t’i kufizojnë lëvizjet në rrugë për shkak të vërshimeve në disa akse rrugore dhe rrëshqitjes së dheut e gurëve në disa lokacione./Insajderi.com