Hoti: Viti 2021 do të mbyllet me liberalizimin e vizave

Hoti: Viti 2021 do të mbyllet me liberalizimin e vizave

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se viti 2021 do të mbyllet me liberalizimin e vizave për qytëtarët e Kosovës, njofton Insajderi.

Kështu u shpreh ai derisa po mbante fushatë para simpatizantëve të LDK-së në Klinë, të cilëve iu tha sot se për këtë punohet ditë e natë.

“Duhet të përmbyllet viti me liberalizim të vizave, nuk japim premtime për data, por ne punojmë ditë e natë me krejt qeveritë e vendeve të BE-së si anëtare te partive popullore evropiane. Dhe t’i kthehemi reformës në arsim, reformave në shëndetësi, reformave në ekonomi… Kemi pasur një qeverisje gjashtë-shtatë mujore ndoshta më të vështirën në periudhën 29-vjeçare për shkak të pandemisë kryesisht, por kemi dalë me rezultate më të mirat që ka pasur ndonjëherë ndonjë qeveri, edhe në menaxhimin e pandemisë, edhe në rimëkëmbjen ekonomike duke u ofruar qytetarëve dhe bizneseve mbështetjen e nevojshme me pakon më të madhe të rimëkëmbjes ekonomike në tërë rajonin”, tha Hoti, përcjell KP.

Ai tutje ka thënë se dy kryeministrat para tij, “nuk kanë pasur guximin dhe vizionin të përballen me çështje të mëdha dhe t’i dalin në mbrojtje shtetit”.

Kandidati i LDK-së për të parin e Qeverisë u deklarua edhe për Marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, për çka tha se në SHBA nuk kishin gjetur as harta, as thika dhe asnjë gjë tjetër.

Me këtë ajo iu referua një deklarate të bërë më parë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Por, mbi të gjitha nga problemet fundamentale të shtetësisë që na i sollën qeveritë e kaluara. Dhe është dashur të bëjmë shumë punë për të kthyer kursin aty ku duhet. E kemi gjetur Kosovën të izoluar politikisht dhe ekonomikisht nga miku më i madh që ka Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pas disa jave ne kemi marrë ftesë për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë. Edhe kur kemi shkuar s’kemi gjetur as harta, as thika as një gjë”, thotë Hoti.

“Kemi gjetur një marrëveshje për ta negociuar dhe për ta nënshkruar, e cila forcon shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ajo ka rezultuar me një njohje mjaft të rëndësishme pas tre vjetësh”. /Insajderi.com