Derisa deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, citoi kryeministrin Avdullah Hoti, lidhur me konstatimet e tij më parë sa I përket iniciativës së mini-Shengenit Ballkanik, kreu I Qeverisë ka reaguar duke i thënë se edhe VV kishte rastin të shkonte në Uashington për të nënshkruar marrëveshjen, por nuk e bëri, njofton Insajderi.
Sipas Hotit, deputetët e Vetëvendosjes nuk po paraqesin asnjë argument, por vetëm deklarata politike, fyerje e nënçmime.
“Kemi punuar bashkë në opozitë. Me të vërtetë pata fillu me mendu që jemi afruar ngapak. Ju shtimë edhe në qeveri, ju dhamë përgjegjësi institucionale. Me këtë qasje, ku po doni me shku, ka ja keni mësy. Unë s’po dëgjoj argumente, por deklarata politike, fyerje, nënçmime. S’po arrini të bëni debat substacional. Pse ju nuk keni shkuar në Uashington. Por qitni teori të hartave e thikave, shtëpia e verdhë apo e kuqe”, tha Hoti në foltoren e Kuvendit.
Ndërsa, deputeti Rexhaj replikoi ndaj tij, duke thënë se nuk e dha asnjë konstatim të tij dhe se lexoi dy deklarata të Hotit për mini-Shengenin, duke shtuar se duhet të largohet nga detyra që ka.
“Unë nuk e thashë asnjë konstatim timin, lexova dy deklarata për mini-Shengenin të cilat i keni deklaruar ju dhe mendoj qysh sot se duhet të largoheni nga detyra që e keni”, ka thënë Rexhaj pas reagimit të kryeministrit Hoti. /Insajderi.com