Lideri i partisë së goranëve të Kosovës, Adem Hoxha ka deklaruar se bllokadën e institucioneve nuk e shohin si metodë për zgjidhjen e problemeve, përcjell Insajderi.
Ai duke folur para mediave, pas takimit me kandidaten për presidente, Vjosa Osmani dhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, si fitues të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, ka thënë se takimi ishte konstruktiv dhe se përfaqësuesit e komunitetit goran punojnë për një Kosovë multietnike.
“Bllokadën e institucioneve nuk e shohim si metodë politike për zgjidhjen e problemeve…. Natyrisht edhe ne i kemi kërkesat tona minimale për përfshirjen e barabartë në institucionet e Kosovës…”, ka pohuar Hoxha.
Ai ka folur edhe për çështjen e punësimit të këtij komuniteti, me ç’rast është shprehur se po ballafaqohen me këtë problem si shumica në Kosovë.
“…Por ne jemi specifik në këtë rast, sepse populli goran është i vogël në numër… Prandaj, institucionet e Kosovës duhet t’i japin më shumë hapësirë komunitetit goran në përfshirjen institucionale që të mund të vazhdojnë në Kosovë dhe të mos ikin…”.
Kujtojmë se, kjo është dita e tretë që Kurti e Osmani po mbajnë takime konsultuese me partitë parlamentare në vend, lidhur me formimin e institucioneve.
Kurti tashmë ka siguruar votat për formimin e Qeverisë, ndërsa për të zgjedhur Osmanin presidente duhet pjesëmarrja në votim edhe e një partie opozitare./Insajderi.com