Në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shqipëria si anëtare e saj ka dënuar vendimin e Federatës Ruse për njohjen e territoreve të Ukrainës si shtete të pavarura.
Shqipëria ka akuzuar Rusinë se është duke e përdorur minoritetin rus në Ukrainë për të shtrirë politikën e saj.
Ambasadori i Shqipërisë, Ferit Hoxha u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që të reagojnë ndaj Rusisë e cila nuk është duke dhënë shenja se do të ndalet vetëm në Ukrainë.
“E gjitha bota është dëshmitare sesi Federata Ruse në vazhdimësi është duke punuar në cenimin e integritetit të Ukrainës. Çfarë ndodhi sot nuk është më shumë se një ripërtëritje e asaj çfarë kemi parë në Gjeorgji në vitin 2008 dhe në Krime në vitin 2014. Është një agresion i Rusisë e cila është duke prodhuar Republika fantome”
“Tani kush është në radhë. Secili shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara duhet të jetë i alarmuar dhe t’i hap sytë për pasojat e instrumentalizimit të minoriteteve si armë për cenimin e sovranitetit të një shteti. Nuk duhet të pranojmë modelin e Rusisë”, ka thënë Hoxha. /Shqip.com