Hoxha në Këshillimin e Sigurimit: Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë

Hoxha në Këshillimin e Sigurimit: Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë

Në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shqipëria si anëtare e saj ka dënuar vendimin e Federatës Ruse për njohjen e territoreve të Ukrainës si shtete të pavarura.

Shqipëria ka akuzuar Rusinë se është duke e përdorur minoritetin rus në Ukrainë për të shtrirë politikën e saj.

Ambasadori i Shqipërisë, Ferit Hoxha u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që të reagojnë ndaj Rusisë e cila nuk është duke dhënë shenja se do të ndalet vetëm në Ukrainë.

Hoxha ka kërkuar që Rusia të tërheq trupat ushtarake nga Ukraina të cilat janë dërguar nën pretekstin se janë duke siguruar paqen në Donetzk dhe Luhansk.

“E gjitha bota është dëshmitare sesi Federata Ruse në vazhdimësi është duke punuar në cenimin e integritetit të Ukrainës. Çfarë ndodhi sot nuk është më shumë se një ripërtëritje e asaj çfarë kemi parë në Gjeorgji në vitin 2008 dhe në Krime në vitin 2014. Është një agresion i Rusisë e cila është duke prodhuar Republika fantome”

“Tani kush është në radhë. Secili shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara duhet të jetë i alarmuar dhe t’i hap sytë për pasojat e instrumentalizimit të minoriteteve si armë për cenimin e sovranitetit të një shteti.  Nuk duhet të pranojmë modelin e Rusisë”, ka thënë Hoxha. /Shqip.com