Hoxha: PDK-ja nuk e filloi konfliktin në Kuvend

Hoxha: PDK-ja nuk e filloi konfliktin në Kuvend

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, deklaroi se partia e saj nuk është iniciatore e përplasjes e cila ndodhi dje, e enjte, në Kuvend, mes deputetëve të PDK-së dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton Insajderi.

Sipas saj, ky problem ka filluar me udhëheqësen e seancës nga radhët e LVV-së, Saranda Bogujevci, kur ia ka ndalur fjalën shefit të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashit.

“Në fakt nuk ishte përleshje fizike dhe nuk ishte iniciuar nga PDK. Tensioni nuk erdhi për shkak të temës për Gjykatën Speciale, ishte raportimi i Donika Gërvallës në Këshillin e Sigurimit që ishte shkas i fjalës së deputetes Ariana Shoshi e cila kërkoi sqarime për qëndrimet e saj në raport me atë takim. Kishte të bëjë me heshtjen e saj karshi UÇK-së kur cilësohet si organizatë terroriste dhe shumë heshtje të tjera në atë takim”.

“Pritej që ajo ta bëjë një sqarim në raport me pyetjet dhe analizën e pozicionit të saj në këtë takim. Fjala e saj ishte fyese që nga fillimi kur e cilësoi partinë tonë si të korruptuar”, theksoi Hoxha në Klan Kosova.

Ajo tutje u shpreh se është e turpshme që narrativa e LVV-së të rritet vetëm duke folur për korrupsionin në ajër.

“Filli ishte këtu sepse ajo e ofendoi të gjithë subjektin duke mos pasur përgjigje se çfarë kishte ndodhur në atë takim”.

Hoxha shtoi se është LVV-ja ajo që e ka instaluar gjuhën ofenduese në Kuvendin e Kosovës.

“Mirë që ju nuk i dëgjoni raketat jashtë mikrofonit – një gjuhë e tillë është instaluar nga LVV. Është e pamundur me dalë në foltore, sa cilësime të vijnë nga LVV, por ato nuk dëgjohen në mikrofon. Kjo është bërë mënyre e komunikimit”./Insajderi.com