“Gjykimi i krimeve në mungesë – i hartuar sipas standardeve ndërkombëtare”

“Gjykimi i krimeve në mungesë – i hartuar sipas standardeve ndërkombëtare”

Rreze Hoxha-Zhuja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se neni aktual për gjykimin në mungesë është i hartuar sipas standardeve ndërkombëtare, përcjell Insajderi.

Ligji ekzistues kështu siç është, e përcakton standardin e kërkimit të personit që është duke u hetuar së paku pesë herë në shtetin ose shtetet ku supozohet që mund të jetë, ashtu që të sigurohet prezenca e tij në procedurë.

“Një gjë e tillë është bërë për të tentuar të respektohet njëri ndër standardet që kërkon nga bashkësia ndërkombëtare në mënyrë që të realizohen këto gjykime”, është shprehur ajo.

Hoxha-Zhuja, tha se GLPS përkrah pjesën e dytë të propozimit të Ministrisë së Drejtësisë për përcaktimin e një periudhe kohore për kërkimin e personit të dyshuar.

“Me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë është kërkuar ose të hiqet ky togfjalësh do të thotë pjesa ku kërkohet që së paku pesë herë ky person të kërkohet në shtetin ose shtetet ku supozohet të jetë, ose të përcaktohet afati brenda të cilit shteti ku kërkohet ky person duhet të kthej përgjigje ose koha brenda së cilës Prokuroria duhet të pres para se të vazhdojë me procedurë”, ka thënë ajo për EO.

“Ne si GLPS konsiderojmë që kërkesa së paku pesë herë një person të kërkohet në këto shtet është e arsyeshme dhe si e tillë e njëjta e respekton standardin ndërkombëtar të vendosur dhe ne e përkrahim pjesën e dytë të propozimit të Ministrisë së Drejtësisë e cila thotë që të përcaktohet koha brenda  së cilës do të duhej të realizohej kjo procedurë”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër edhe Arton Ndrecaj, këshilltar ligjor ka thënë se korniza ligjore aktuale është e strukturuar mirë, por që mungon vullneti për zbatimin e saj.

Sipas tij, akoma në Kosovë vazhdon të jetë “një Gjyqësor e Prokurori e brishtë që nuk kryen punën në mënyrë profesionale”.

“Korniza ligjore që e kemi është e strukturuar mjaftë mirë por nuk ka vullnet që të zbatohen dispozitat apo ligji në vend. Ne gjithmonë ia hedhim fajin sistemit gjyqësor çka faktikisht edhe e ka një pjesë të konsiderueshme të fajit sepse të gjitha raportet deri më tani kanë rezultuar që kemi një gjyqësor të brishtë, një prokurori e cila nuk e kryen punën në mënyrën më profesionale të mundur”, është shprehur ai./Insajderi.com