Hoxhaj dënon gjuhën e Vuçiqit e Gjuriqit ndaj policisë

Hoxhaj dënon gjuhën e Vuçiqit e Gjuriqit ndaj policisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka dënuar gjuhën e përdorur ndaj Policisë së Kosovës, nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe drejtorit të të ashtuquajturës Zyre serbe për Kosovën, Marko Gjuirq.

Hoxhaj e ka cilësuar si  raciste, shoviniste dhe të papranueshme gjuhën e zyrtarëve serbë.

“Ky aksion asesi nuk ka qenë i drejtuar kundër komunitetit serb të Kosovës. Aq më pak, kur Policia e Kosovës është institucion multi etnik, dhe shumë pjesëtarë të saj vijnë edhe nga komuniteti serb”.

“Njësia speciale e Policisë së Kosovës në ndërhyrjen e saj për arrestimin e zyrtarit serb Marko Gjuriq, i cili hyri në Kosovë ilegalisht, të hënën, ka zbatuar kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet dhe marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel”.

“Edhe njëherë ritheksoj, se kushdo nga zyrtarët serbë që mendon se mund t’i shkelë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel, e ka gabim, dhe të njëjtit do të përgjigjen para ligjit”, ka shkruar ai në Facebook.