Hoxhaj: Dialogu, shpresë e zhdukur shkaku i gabimeve të BE-së dhe Kosovës viteve të fundit

Hoxhaj: Dialogu, shpresë e zhdukur shkaku i gabimeve të BE-së dhe Kosovës viteve të fundit

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se çdo shpresë për dialogun Kosovë-Serbi është zhdukur.

Sipas Hoxhajt, shpresat janë zhdukur si pagojë e gabimeve nga Bashkimi Evropian dhe Kosova, shkruan Insajderi.com.

“Sot takohen në BE Këshilli për Punë të Jashtme në Bruksel ku ndër çështjet tjera do të gjejnë kohë për të konkluduar se “nuk ka përparim” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se kjo marrëdhënie “është çështje komplekse”. Një dekadë më parë filloi me shpresa, sot çdo shpresë e vetme është zhdukur”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Sipas Hoxhajt, kjo ka ndodhur për shkak të gabimeve të shumta të Bashkimit Evropian dhe Kosovës viteve të fundit.

“Kjo ka ndodhur për shkak të gabimeve të shumta të BE-së dhe Kosovës vitet e fundit, ndërsa Serbia ka qenë historikisht kundër dialogut! Serbia në këto 20 vjet ka marrë pjesë në çdo negociatë dhe dialog jo për arritur, por për të mos arritur kurrfarë marrëveshje! Çdo kohë e humbur, është kohë e humbur për Kosovën!”, ka shtuar ai.

Ministrat e Jashtëm të BE-së do të kenë si pikë të parë angazhimin dhe situatën në Ballkanin Perëndimor në takimin e sotëm, më 15 nëntor, që do mbahet në Bruksel.

Ministrat do të diskutojnë për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa dokumenti për diskutim është përgatitur nga Shërbimi i Politikës së Jashtme të BE-së (EEAS)./Insajderi.com