Hoxhaj: Dy modele në këto zgjedhje, plani im për rimëkëmbje dhe demagogjia e Kurtit

Hoxhaj: Dy modele në këto zgjedhje, plani im për rimëkëmbje dhe demagogjia e Kurtit

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se në zgjedhjet e 14 shkurtit qytetarët do të kenë para vetes dy modele për të zgjedhur, njofton Insajderi.

Sipas tij, modeli i parë është ai i PDK-së për rimëkëmbje të vendit dhe modeli i Lëvizjes Vetëvendosje me kreun e saj Albin Kurti, për të cilin Hoxhaj thotë se është model i demagogjisë dhe popullizmit.

Këto komente Hoxhaj i ka bërë pasi ka zhvilluar një takim me bizneset e shoqatës “Esnaf” në Prizren.

Para tyre i pari i PDK-së ka prezantuar planin e rimëkëmbjes, ku ka thënë se ndihma për sektorin privat është prioritet.

Ai ka theksuar se për PDK-në, Prizreni është kryeqyteti ekonomik i Kosovës dhe këtë qytet duan ta kthejnë në një qendër të madhe të zhvillimit ekonomik të vendit.

“Modeli i parë është modeli i jonë që parasheh lehtësira fiskale për bizneset dhe kemi politikë të qartë fiskale se çka do të bëjmë për bizneset. Modeli jonë parasheh mbështetje institucionale për bizneset dhe jemi të interesuar që ta bëjmë një gjë të tillë dhe parasheh mbështetje të mirëfilltë në formë të granteve, ne mendojmë që duhet të ketë një fond rreth 500 milionë euro që në formë të granteve do t’iu ndahet të gjithë atyre bizneseve të cilët janë goditur për shkak të pandemisë“, ka thesuar ai.

Hoxhaj ka thënë se grantet janë para të gatshme të cilat nuk i kthehen asnjëherë qeverisë, por ndihmojnë zhvillimin e biznesit./Insajderi.com