Ngushllime nga Kosova për viktimat në Itali

Ngushllime nga Kosova për viktimat në Itali

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllime për viktimat që kanë humbur jetën në tërmetin në Itali.

“Me pikëllim të thellë mësova për fatkeqësinë e rëndë natyrore që ka prekur Italinë dhe në këto çaste të vështira të gjithë ndihemi pranë popullit mik italian”.

Ai thotë se populli i Kosovës shpreh ndjenjat më të ngrohta të solidaritetit për të afërmit e viktimave.

“Uroj shërim sa më të shpejtë për të lënduarit e shpresoj që pasojat e dëmeve të kapërcehen sa më shpejtë”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

Gjithashtu edhe ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku ka shprehur ngushëllime për viktimat në Itali.

“Lajme të dhimbshme. Ngushëllime për familjet e viktimave dhe atyre të prekurve nga tërmeti në Amatrice, Itali”, ka shkruar Çitaku në llogarin e saj në Facebook.

***

Hoxhaj e Çollaku shprehin ngushëllime për viktimat në Itali

Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj dhe ai i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku, kanë shprehur ngushëllime për viktimat të cilët kanë humbur jetën, nga tërmeti në Itali.

Ministri i Punëve të Jashtme në postimin e tij në Facebook, ka thënë se jemi tronditur nga humbja e njerëzve të shkaktuar nga tërmeti në Itali.

“Thellësisht i tronditur nga humbja e jetëve të njerëzve në Itali që u goditën nga tërmeti gjatë natës. Ngushëllime shtetit mik të Italisë dhe familjeve të viktimave që humbën të afërmit e tyre. Shërim të shpejt të lënduarve”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e vet zyrtar në Facebook.

Ndërsa ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku përmes një postimi të tij në Twitter, ka thënë se ndjehemi të pikëlluar nga lajmi për tërmetin që tronditi Italinë.

“Jemi të pikëlluar nga lajmi për tërmetin në Itali, Accumoli, qëndroni të fort, ne jemi me ju, ka shkruar Çollaku në postimin e tij. /Insajderi.com