Hoxhaj: Haradinaj na prishi me Evropën e Kurti me Amerikën

Hoxhaj: Haradinaj na prishi me Evropën e Kurti me Amerikën

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se vendi ka nëvojë për një kryeministër i cili i ruan marrëdhëniet me të gjitha shtetet mike, njofton Insajderi.

Sipas tij, vendit nuk i duhen kryeministra si Ramush Haradinaj, për të cilin tha se Kosovës ia ka prishur marrëdhëniet me Evropën, e as si Albin Kurti, për të cilin thotë se ia ka prishur vendit raportet me Amerikën.

Këto deklarata Hoxhaj i ka bërë gjatë një vizite në Komunën e Gjilanit të shtunën, ku ka prezantuar planin e rimëkëmbjes për shëndetësi.

“Ne nuk mundemi më me pas kryeministra ku njëri merr në thua dhe na prish me Evropën qysh na pati prishur Ramush Haradinaj. Ia merrke mendja që mund të shtyhet me Angela Merkel dhe me Macron dhe i la të rinjtë, të rejat e Gjilanit dhe krejt qytetarët e Kosovës pa viza. Apo Albini i cili na prishi me Amerikën”, ka deklaruar ai.

Para pensionistëve, Hoxhaj ka prezantuar planin që gjatë qeverisjes së tij do të ketë rritje të pensioneve. E kjo rritje sipas tij, nuk është premtim i fushatës, por është zotim i tij.

“Në emër të qeverisë që do ta udhëheqi unë do të ketë rritje të pensioneve 30 deri në 40 përqind varësisht prej kategorisë, ata të cilët janë pensionistë kontributdhënës do ta kenë shumën që do ta marrin, ata të cilët janë pensione të cilët nuk kanë dhënë kontribut po janë në skenën pensionale. Po prej 30 deri në 40 përqind dhe do të jetë një rritje kështu e mirëfilltë. Ky nuk është ndonjë premtim zgjedhor por zotim”, ka paralajmëruar Hoxhaj./Insajderi.com