Hoxhaj i reagon Kurtit: Nga “Jo Negociata – Vetëvendosje”, ra dakord të hyjë në negociata për autonomi

Hoxhaj i reagon Kurtit: Nga “Jo Negociata – Vetëvendosje”, ra dakord të hyjë në negociata për autonomi

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili të enjten pas takimit me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borell, tha se pret që dialogu me Serbinë të rifillojë në qershor, njofton Insajderi.

Sipas Hoxhajt, me këtë konfirmim, Kurti “ka përmbysur gjithë trashëgiminë e tij politike kundër negociatave Kosovë-Serbi”.

“Kurti rinisi dialogun në Bruksel pa vendosur reciprocitet me Serbinë dhe pa një platformë apo strategji.  Nga ‘Jo Negociata – Vetëvendosje’, Kurti ra dakord në Bruksel që të hyjë në Negociata për Autonomi për serbët në Kosovë dhe të zhbëjë planin Ahtisaari që mundësoi pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka shkruar i pari i PDK-së në profilin e tij në Facebook.

Hoxhaj tutje shtoi se PDK-ja do të kundërshtojë çdo ide që synon zhbërjen e shtetit të Kosovës dhe përmbysjen e rendit kushtetues.

“Në Bruksel, duhet të ketë dialog vetëm për njohjen reciproke, asgjë tjetër”./Insajderi.com