Hoxhaj i reagon Vuçiqit pasi publikoi foto me hartën e Kosovës të mbuluar me flamurin serb

Hoxhaj i reagon Vuçiqit pasi publikoi foto me hartën e Kosovës të mbuluar me flamurin serb

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit ka publikuar një hartë të Kosovës të mbuluar me flamurin serb, përcjell Insajderi.

Në një postim në Twitter, Hoxhaj ka shkruar se sundimi autokratik është në një gjendje hipnoze ku propaganda dhe urrejtja nxiten kundër fqinjëve.

“Kosova si shtet i pavarur dhe sovran është muri i vlerave euro-atlantike”, ka shkruar tutje ai.

Kujtojmë se, Aleksandar Vuçiq mbi fotografinë të cilën e ka postuar në Instagram ka shkruar se “Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 marsi të ndodhë përsëri”.

Këtë ai e ndërlidhur me trazirat e marsit të 2004-ës ku mbetën të vdekur 11 shqiptarë dhe tetë serbë derisa qindra të tjerë u lënduan.

Trazirat shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë si pasojë e dhunës së serbëve, ndërsa shkaku i kësaj tragjedie asnjëherë nuk u sqarua plotësisht.

Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona, po atë natë treguan para kamerave se ishin ndjekur nga serbët dhe se ata ishin duke ikur, kur disa nga bashkëmoshatarët e tyre u mbytën në lumë. Të nesërmen, më 17, mars filluan protestat në shumë qytete të Kosovës, që shumë shpejt përshkallëzuan në dhunë./Insajderi.com