Hoxhaj: I tronditur nga vdekja e ish-këshilltarit të Merkelit

Hoxhaj: I tronditur nga vdekja e ish-këshilltarit të Merkelit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se është tronditur nga vdekja e ish-këshilltarit të kancelares Angela Merkel, Jan Hecker, njofton Insajderi.com.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka thënë se Hecker ka qenë një njeri me integritet, dije të thellë dhe një mik i madh i Kosovës.

“Jam i tronditur thellë nga lajmi i vdekjes së Jan Hecker, këshilltar për politikë të jashtme i Kancelares Angela Merkel! Jani, ka qenë një njeri me integritet, dije të thellë dhe një mik i madh i Kosovës dhe i imi personalisht! Një humbje e madhe për diplomacinë gjermane! Ngushëllime familjes, të afërmve dhe kolegëve”, ka shkruar Hoxhaj.

Ambasadori gjerman në Kinë, Jan Hecker, ka vdekur papritur në moshën 54-vjeçare, pas vetëm disa javësh në pozicionin e tij, sipas një deklarate të postuar nga Ambasada Gjermane të hënën.

Hecker kishte punuar si këshilltar i politikës së jashtme të kancelares gjermane Angela Merkel para se të merrte postin e tij të ambasadorit në Pekin më 24 gusht.

“Ne jemi thellësisht të trishtuar dhe të tronditur kur mësuam për vdekjen e papritur të ambasadorit gjerman në Kinë”, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane. “Zemrat tona janë me familjen e tij dhe miqtë dhe kolegët e tij në këtë kohë”.

Rrethanat rreth vdekjes së diplomatit nuk janë bërë të ditura. E tronditur me vdekjen e tij u shpreh edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kur filloi rolin, Hecker ka thënë se qëllimet e tij për misionin e ri ishin “të kontribuojë në zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Gjermani-Kinë përmes punës sonë” dhe “të forcojë më tej dialogun dhe partneritetin”, shtoi ambasada. /Insajderi.com