Hoxhaj: Kurti shënoi mjerim anarkist, pres që këtë javë në Paris të reflektojë

Hoxhaj: Kurti shënoi mjerim anarkist, pres që këtë javë në Paris të reflektojë

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për paraqitjen e tij të parë në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe për takimin e mbajtur në Vjenë me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor bashkë me kancelarin austriak, Sebastian Kurz, njofton Insajderi.

Hoxhaj me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se java e kaluar “ka shënuar mjerimin politik të kësaj Qeverie”, duke thënë se këtë e manifestoi kryeministri Kurti “me cirkuset e tij”.

“Në vend të njohjes nga Serbia, në Vjenë ai kërkoi mos sulmimin nga ajo. Në vend se të zotohet për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe forcimin ekonomik të vendit, mohoi ligjshmërinë e saj”, shkroi ai.

Hoxhaj njëashtu tha se pret nga Kurti që të sillet me përgjegjshmëri shtetërore dhe institucional në takimin që do të zhvillohet në Paris me presidentin Macron.

“Meqë këtë javë Kosovën e pret një tjetër takim i rëndësishëm dhe i vështirë në Paris, uroj që Albin Kurti të ketë reflektuar mbi marrëzitë e tij politike të ditëve të fundit e mjerimin anarkist dhe të sillet me përgjegjshmëri shtetërore e institucionale”, thuhet më tej në postimin e Hoxhajt. /Insajderi.com