Hoxhaj nderon Zahir Pajazitin: Kosova po e paguan çmimin e dytë para Speciales

Hoxhaj nderon Zahir Pajazitin: Kosova po e paguan çmimin e dytë para Speciales

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, bashkë me anëtarë të tjerë të PDK-së kanë bërë homazhe para shtatores së heroit, Zahir Pajazitit, në 24 vjetorin e rënies së tij, njofton Insajderi.

Hoxhaj thotë se sot në këtë përvjetor janë pa praninë e të parit të PDK-së, Kadri Veseli, të presidentit Hashim Thaçi, Jakup Krasniqit, të cilët po përballen me Gjykatën Speciale, e që tutje shton se Kosova po e paguan çmimin e dytë para Gjykatës Speciale.

“Kjo ditë është e veçantë për Kosovën, kur në rrugëtimin tonë për liri po e paguajmë përsëri një çmim te dytë. Dhe këtë çmim të dytë po e paguajmë para një gjykate. E para saj kauza jonë për liri, ne jemi të sigurt që shokët tanë do të dalin fitimtarë dhe faqebardhë. Ndërsa, ne si Parti Demokratike e Kosovës do të ndjekim idealet e tyre, do të ndjekim qëllimet e tyre dhe do e përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës duke e anëtarësuar Kosovën në OKB, në Bashkim Evropian dhe në NATO”, ka thënë Hoxhaj, raporton KP. /Insajderi.com