Hoxhaj në mbledhjen e Qeverisë i thotë Jevtiqit të mos bëhen vegël e Beogradit

Hoxhaj në mbledhjen e Qeverisë i thotë Jevtiqit të mos bëhen vegël e Beogradit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka thënë Dalibor Jevtiqit që Lista Serbe të mos mbetet vegël e politikës së Beogradit. Hoxhaj tha se Kosova ka një sistem kushtetues dhe rend juridik i cili duhet të respektohet.

Përtej kësaj, Hoxhaj tha se mes Kosovës dhe Serbisë ekziston një marrëveshje që është arritur në Bruksel, të cilën duhet ta respektojmë të dyja palët.

“Një zyrtar i lartë i shtetit serb nuk mund të vijë në Kosovë pa leje, ashtu siç ne nuk mund të shkojmë pa leje në Serbi. Ne posedojmë fajllin nga zyra jonë ndërlidhëse në Beograd, që dëshmon se z. Gjuriq asnjërën nga procedurat për hyrje në Kosovë nuk i ka respektuar”, deklaroi Hoxhaj.

Hoxhaj theksoi se aksioni nuk ka qenë assesi i drejtuar kundër komunitetit serb në Kosovë. Ai i bëri thirrje Listës Serbe që të mos mbetet instrument i politikës së Beogradit, port ë bashkëpunojë me shtetin e Kosovës, në të cilin jetojnë.

Ai foli edhe për ngjarjen e djeshme në Mitrovicë, ku mbi 100 persona të komunitetit serb u mblodhën për të diskutuar formimin e njëanshëm të Asociacionit të Komunave Serbe.

“Ngjarjet e djeshme, ajo që ka ndodhur në Mitrovicë në lidhje me asociacionin ka qenë e papranueshme. Për mua është e papranueshme që zyrtarë të qeverisë së Kosovës të bëjnë veprime të tilla”, ka përfunduar Hoxhaj.