Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, deklaroi të mërkurën se kryeministri Albin Kurti duhet ta anulojë takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i paralajmëruar të mbahet më 15 qershor, nëse deri atëherë Serbia nuk kërkon falje për krimet e kryera në Kosovë, njofton Insajderi.
Me këtë rast, i pari i PDK-së ka thënë se po ia rikujton kryeministrit Kurti dy kushtëzimet e tij që i kërkonte para fillimit të dialogut me Serbinë, kërkimfaljen nga Serbia dhe kthimin e të pagjeturve.
“Nëse Serbia nuk kërkon falje deri më 15 qershor për gjenocidin e kryer në Kosovës, Albin Kurti nuk duhet të ulet në takim me Vuçiqin”, është shprehur Hoxhaj, në një diskutim të organizuar nga Lëvizja “FOL”.
Ai tutje ka folur edhe për udhëheqjen e Qeverisë Kurti, për të cilën ka thënë se Kosova s’ka pasur asnjëherë “qeveri më të dobët”.
Hoxhaj ka theksuar se “tri dështimet e kësaj qeverie kanë të bëjnë me mungesën e programit qeverisës, dështimin në politikën e jashtme dhe dështimin në qasjen me dialogun me Serbinë”./Insajderi.com