Hoxhaj nga Shtimja: Të ndëshkohen me votë mohuesit e pavarësisë

Hoxhaj nga Shtimja: Të ndëshkohen me votë mohuesit e pavarësisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, derisa ka zyrtarizuar sot kandidaturën e Naim Ismajlit për kryetar të komunës së Shtimes, ka ftuar qytetarët e kësaj zone që “t’i ndëshkojnë me vota mohuesit e lirisë e pavarësisë, mashtruesit që protestonin e kërkonin të mos shkohet në dialog pa kërkuar falje Serbia”, transmeton Insajderi.

Kështu u shpreh ai në një konferencë për media të mbajtur sot në Shtime.

“Ndëshkoni këta mohues të lirisë e pavarësisë që para disa vitesh thonin se Kosova kurrë nuk do të ketë ushtri e sot parakalojnë para kësaj ushtrie dhe thurin lavde për FSK-në. Prandaj ndëshkoni këta mashtrues që protestonin e kërkonin të mos shkohet në dialog pa kërkuar falje Serbia – ndërsa sot bëjnë turr e vrap dhe janë të gatshëm për kompromise të rënda për funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Prandaj mos u besoni këtyre mashtruesve që pretendojnë se historia duhet të nisë me ta sepse kjo nuk do të ndodhë: Historia e Kosovës është historia e këtij populli dhe askush s’mund ta ndryshojë atë” ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka rikujtuar se nën udhëheqjen e PDK-së, Shtimja është vlerësuar si një ndër komunat me performancën më të mirë në Kosovë nga institucionet qendrore në bashkëpunim me ambasadat e huaja, si dhe për mbajtjen e premtimeve elektorale në masë prej 100 për qind, ka 95 për qind të infrastrukturës rrugore të përfunduar, pjesëmarrje në vendimmarrje të gruas me 50 për qind, 14 objekte të reja shkollore, Zonë Ekonomike me 12 biznese funksionale, mes tyre 2 biznese ndërkombëtare, administratë profesionale efikase, parqe të reja, trotuare dhe terrene sportive për secilin vendbanim.

“Këto të arritura e kanë vulën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të kryetarit të saj, njeriut më meritor, z Naim Ismajli të cilin do ta kemi në garë edhe për një mandat 4 vjeçar. Jam i lumtur që pa ndonjë hezitim ta konfirmojmë e zyrtarizojmë këtë kandidaturë vetëm e vetëm që t’i vazhdojmë punët e mira në Shtime, që të nisim projekte të reja dhe këtë model të mirë të zhvillimit ta përhapim pas zgjedhjeve lokale në vjeshtën e këtij viti edhe në komunat e tjera”, ka thënë Hoxhaj.

Kurse, kandidati për kryetar të komunës së Shtimes nga radhët e PDK-së, njëherësh kryetari aktual i kësaj komune, Naim Ismajli ka falënderuar kryetarin Hoxhaj dhe strukturat e partisë që për të pestën herë ia besuan kandidaturën për të qeverisur në këtë komunë. /Insajderi.com