Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një letre i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti, duke e njoftuar se nuk do të shkojë në takimin me partitë opozitare, të thirrur nga Kurti, shkruan Insajderi.
Hoxhaj në Facebook, ka shpërndarë letrën ku ka shkruar “kjo është përgjigja ime dërguar Albin Kurtit në lidhje me ftesën e tij për takim. Transparencë dhe debat vetëm në Kuvendin e Kosovës”.
Ai përmes kësaj letre është shprehur se çështjet e propozuara për diskutim nga Kurti pas vizitës së tij në Bruksel, siç janë marrëdhëniet me Belgjikën, me institucionet e BE-së dhe me vendet e rajonit, duhet të trajtohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Hoxhaj tutje, ka thënë se këto janë përgjegjësi të qeverisë dhe nuk janë tema të cilat duhet të diskutohen në takime të mbyllura me liderët e partive opozitare.
“Ndërsa, nëse përmes formulimit ‘çështje madhore’ i jeni referuar ndonjë teme tjetër të rëndësishme, atëherë unë ju ftoj që të jeni më konkret dhe më transparent, në mënyrë që edhe qytetarët e vendit të jenë të mirë informuar. Ju duhet t’i emërtoni saktë temat me emrat e tyre. Për çfarëdo ‘çështje madhore’, ju konfirmojmë gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar hapur dhe në interes të qytetarëve dhe të shtetit në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar ai./Insajderi.com