Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se “nuk janë në garë kush të bëhet i pari në PDK, por si të bëhet PDK-ja e para në Kosovë”.
Ai shtoi se qëllimi i konventës nuk është që të zëvendësojnë Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
Por, theksoi se në këto rrethana “PDK duhet të jetë e fortë”.
“Jam i bindur se Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi do të kthehen faqebardhë pasi që lufta jonë ka qenë e drejtë. Ata do t’i kthehen familjeve të tyre dhe PDK’së. Ne bashkëpunëtoret e tyre jemi shumë krenarë me ta. Ata kurrë nuk e vendosën interesin personal mbi interesat e Kosovës”.
Hoxhaj, po ashtu deklaroi se si opozitë “do ta mbrojnë demokracinë” që sipas tij po rrezikohet nga Albin Kurtin qeverinë e së cilit e cilësoi si “autokratike”.
“Nga kjo konventë ne presim që edhe më shumë ta forcojmë identitetin tonë si parti. Do ta mbrojmë demokracinë, lirinë, ekonominë e tregut si dhe lirinë e shprehjes”.
Partia Demokratike e Kosovës është duke e mbajtur konventën e dhjetë.
Vetëm Memli Krasniqi është kandidat për kryetar. /Insajderi.com