Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër në zgjedhjet e 14 shkurtit, Enver Hoxhaj, ka thënë se vetëm partia e tij mund ta nxjerrë vendin nga kriza, në të cilën, sipas tij, e kanë futur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, njofton Insajderi.
Në një konferencë për media, Hoxhaj ka prezantuar platformën e rimëkëmbjes të propozuar nga PDK-ja.
“Zgjedhjet që do mbahen më 14 shkurt janë një lajm i mire sepse i jepet fund degradimit të madh shoqëror e ekonomik. Programi i PDK-së është program i qytetarëve sepse ne i kemi dëgjuar ata. Nuk ka asnjë parti tjetër politike e cila ka më shumë dije e vendosmëri për t’i zgjidhur problemet që i kanë qytetarët. Qytetarët janë të shqetësuar me ekonominë në të cilën është vendi. Ata janë të shqetësuar me shëndetësinë e me korrupsionin e lartë. PDK-ja është i vetmi subjekt politik i cili mund ta nxjerrë vendin nga kriza politike, nga balta, që e kanë futur dy partitë, LDK e VV”, ka thënë ai.
Ai tutje në konferencë është shprehur se prioriteti i PDK-së është rimëkëmbja ekonomike.
“Prioritet i parë do të jetë rimëkëmbja ekonomike, së dyti përballja e menjëhershme me shëndetin e njerëzve për shkak të pandemisë. Së treti zbatimi dhe promovimi i sundimit të ligjit dhe luftës së pakompromis ndaj korrupsioni. Së katërti ndërtimi i një sistemi arsimor. Dhe i fundit është politika e jashtme dhe rikthimi i Kosovës në hartën e shteteve të pavarura”, ka thënë ai./Insajderi.com