Hoxhaj: PDK nuk ka votë për Vjosa Osmanin

Hoxhaj: PDK nuk ka votë për Vjosa Osmanin

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, është shprehur edhe njëherë se partia e tij nuk jep votën për Vjosa Osmanin, njofton Insajderi.

Hoxhaj përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë  se Osmani është treguar një figurë përçarëse dhe si e tillë nuk është e denjë për pozitën e presidentes.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk ka votë për Vjosa Osmanin për presidente të ardhshme të Kosovës. Ajo është treguar një figurë përçarëse, aspak përbashkuese dhe nuk e përfaqëson unitetin e popullit. Duke qenë e motivuar partiakisht dhe që përfaqëson interesat e vetëm një partie dhe liderit të saj, znj. Osmani nuk mund të jetë aspak e denjë për pozitën e presidentes”.

Hoxhaj thotë se PDK-ja nuk do ta tradhtoj besimin e votuesve të saj dhe do të qëndrojë në opozitë.

“PDK-ja nuk do ta tradhtoj besimin e votuesve të saj. Ne jemi partia e vetme në opozitë që do ta ballafaqojmë deri në fund pushtetin e ri, do t’i përfaqësojmë qytetarët e Kosovës dhe do ta mbajmë përgjegjëse për çdo premtim e vendim. PDK sikurse e kemi thënë gjatë zgjedhjeve, do të jetë fronti i vetëm politik në Kosovë kundër boshtit populist të përfaqësuar nga z. Kurti”, shkroi më tej Hoxhaj./Insajderi.com