Hoxhaj për inicimin e shkarkimit të Bordit të RTK-së: Qeveri me prirje autoritare

Hoxhaj për inicimin e shkarkimit të Bordit të RTK-së: Qeveri me prirje autoritare

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë se shkarkimi i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, është goditje për fjalën e lirë nga Qeveria Kurti, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Hoxhaj shprehet se qeveritë me prirje autoritare, synim dhe qëllim kanë kontrollimin e vullnetit politik, mediave dhe të opinionit publik.

Sipas tij, këtë manual po e zbaton me përpikëri Qeveria Kurti II.

“Edhe pse e dalë nga një proces zgjedhor demokratik dhe shembull për rajonin, puna e parë që bëri Albin Kurti ishte nxitja e shkarkimit të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Sot, ai shkarkoi edhe bordin e RTK-së, duke i dhënë edhe një goditje tjetër medias dhe fjalës së lirë në vend. Atë që e kemi paralajmëruar si PDK edhe po ndodhë, dy gjëra do ta karakterizojnë këtë Qeveri: Mashtrimet politike në mungesë të një programi të mirëfilltë qeverisës dhe autoritarizmi, si e vetmja metodë të cilën ata e njohin”, ka shkruar ai. /Insajderi.com