Hoxhaj për Kurtin: Kryeministër hije që agjendën ia diktojnë ministrat me skandale

Hoxhaj për Kurtin: Kryeministër hije që agjendën ia diktojnë ministrat me skandale

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, për “mosparaqitjet” në skenën politike, njofton Insajderi.

Sipas tij, Kurti është kryeministër hije “me qeveri praktikantësh, që agjendën ia diktojnë ministrat e tij me skandale”.

“Albin Kurti është zhdukur. Të vetmet herë që u pa prej se e mori detyrën si kryeministër ishin shfaqjet e tij gjatë zgjedhjeve në Shqipëri duke ndërhyrë në politikën e brendshme të një shteti”, ka shkruar i pari i PDK-së në profilin e tij në Facebook.

Hoxhaj po ashtu ka kritikuar Qeverinë për mungesën e vaksinave, programit qeverisës, dialogun me Serbinë si dhe vendimin e së enjtes së Kuvendit për ndarjen e mjeteve financiare për rrymën në veri.

“Mungesa e vaksinave, mungesa e programit qeverisës, e transparencës për dialogun, ndarja e 11 milionë eurove për pagesën rrymës së serbëve dhe bizneseve të tyre në veri janë disa nga dështimet e para të plotësuara këto ditë edhe me skandalet e ministrave të tij. Ai është vetëm hija e një kryeministri, që të vetmet deklarata politike i ka ‘mbrojtjen dhe arsyetimin e qëndrimeve skandaloze të vartësve në kabinetin qeveritar’”, ka shkruar tutje ai./Insajderi.com

Albin Kurti është zhdukur. Të vetmet herë që u pa prej se e mori detyrën si kryeministër ishin shfaqjet e tij gjatë…

Posted by Enver Hoxhaj on Thursday, May 6, 2021