
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka përkujtuar familjen Berisha nga Suhareka, e cila u masakrua 22 vite më parë nga forcat paramilitare serbe.
Në një postim në Facebook, Hoxhaj ka shkruar se marsi është muaji i vuajtjeve dhe dhimbjeve të mëdha të popullit tonë, është historia që nuk duhet ta harrojmë asnjëherë.
“Sot përkujtojmë anëtarët e familjes Berisha në Suharekë, burra, gra, pleq e fëmijë, të cilët 22 vite më parë u vranë dhe masakruan nga forcat paramilitare serbe. Marsi i vuajtjeve dhe dhimbjeve të mëdha të popullit tonë, është historia që nuk duhet ta harrojmë asnjëherë.
Kosova nuk do të rresht asnjëherë për të kërkuar drejtësi për viktimat e saj – derisa përgjegjësit të marrin dënimin e merituar. Lavdi të përjetshme martirëve të kombit tonë”, ka shkruar ai./Insajderi.com