Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj sulmit që i është bërë sot gazetarit Valon Syla, njofton Insajderi.
Hoxhaj me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se kjo mendësi e dhunës duhet të ndalet menjëherë dhe se duhet mbrojtur me forcën e fjalës dhe të ligjit lirinë për t’u shprehur.
“Dhuna asnjëherë nuk duhet të jetë përgjigje ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Liria e mendimit është arritja më e madhe e një demokracie – vlerë të cilën e kemi përqafuar dhe ruajtur me mund. Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla, pavarësisht a pajtohemi gjithmonë me mendimin e tij apo jo, është një akt qyqar dhe që njollosë vetë themelet e shtetit tone”, ka shkruar ai.
“Në Kosovë, fatëkeqësisht, kohëve të fundit edhe nga parti të ndryshme politike është kultivuar një diskurs që nxitë dhunën në shoqërinë tonë.
Kjo mendësi duhet të ndalet tani, menjëherë, dhe të gjithë së bashku duhet ta mbrojmë me forcën e fjalës dhe të ligjit lirinë për t’u shprehur”, thotë tutje Hoxhaj. /Insajderi.com